Keni menduar ndonjëherë se në cilin vend paguhen më së shumë njerëzit? Nëse po, atëherë përgjigjen mund ta gjeni më poshtë, ndonëse mund të zhgënjeheni nga pagat e larta që marrin njerëzit në vendet e zhvilluara të botës. Në listën e mëposhtme po ju sjellim dhjetë vende me të ardhurat më të larta të disponueshme, që paraqesin sasinë e parave që një familjeje i mbesin çdo vit, pasi paguhen taksat dhe shërbimet e tjera. Pra, të ardhurat e disponueshme në njëfarë forme paraqesin shumën e parave që një njeri, pa fëmijë, i ka në dispozicion për t’i shpenzuar në mallra dhe shërbime.

10. Franca
Franca llogaritet të jetë vendi me ekonominë e shtatë në botë. Teksa është munduar ta shpjegojë pse GDP-ja për kokë banori në Francë është më e ultë sesa në SHBA, ekonomisti Paul Krugman ka thënë që “punëtorët francezë janë produktivë sa punëtorët amerikanë”, mirëpo francezët, sipas tij, punojnë më pak orë. Gjithsesi, banorët e Francës marrin mesatarisht nga 26,131 euro në vit, pasi t’i kenë paguar taksat, që mbërrijnë në 49.4 për qind të të ardhurave.

9. Suedi
Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, Suedia, vendi i bukur skandinav, është shteti i gjashtë më i pasur në botë sa i përket GDP-së për kokë banori. Ky vend me demokraci socialiste iu ofron kujdes universal shëndetësor dhe edukim universal banorëve të vet, ndërsa banorët në këmbim paguajnë 42.4 për qind të të ardhurave të tyre në formë taksash. Megjithatë, përkundër shkallës së lartë të taksave, banorët e Suedisë paguhen mesatarisht nga 26,481 euro në vit.

8. Kanada
Fqinjët e SHBA-së gjenden në vendin e tretë sa i përket rezervave të naftës, duke pasur para në listë vetëm Arabinë Saudite dhe Venezuelën. Kanadaja është e pasur edhe me zink, uranium, ari, nikel, alumin si dhe banorët e këtij vendi merren me kultivimin e drithërave. Paga mesatare, pas pagesës së taksave, në Kanada është 26,644.50 euro, ndërsa shkalla e taksave që paguajnë banorët e këtij vendi është 31 për qind.

7. Austri
Ky vend piktoresk i Evropës ka GDP-në e 12-të më të lartë për kokë banori në botë. Pra, përkundër faktit që turizmi gjeneron 9 për qind të produktit të brendshëm bruto të Austrisë, ky vend ka edhe industri tejet të zhvilluar. Banorët e Austrisë marrin mesatarisht nga 28,285 euro në vit, pasi t’i paguajnë taksat, shumë kjo relativisht e madhe, sidomos kur merret parasysh fakti që shkalla e taksave në këtë vend është 49.4 për qind.

6. Gjermani
Gjermania, ndonëse nuk është aq lart në këtë listë, njihet si ekonomia më e fuqishme në Evropë si dhe për faktin që ka shkallën më të lartë të taksave nga të gjitha shtetet në këtë listë, me 49.8 për qind. Në këmbim të pagesës së pothuajse gjysmës së të ardhurave gjermanët marrin shkollim dhe shëndetësi kualitative, pa pagesë, në të gjitha nivelet dhe përkundër kësaj prapë përfitojnë nga 28,356 euro në vit.

5. Australi
Australia është një eksportues i madh i naftës dhe mineraleve dhe importon shumë pak gjëra. Në aspektin e pasurisë së përgjithshme të banorëve, Australia ishte renditur e dyta, pas Zvicrës, për vitin 2013. Të ardhurat mesatare vjetore, pas kthimit të taksave, në Australia janë 28,661 dhe vendi ka një shkallë taksash prej 27.7 për qind, që, natyrisht, si këmbim ju siguron qytetarëve shkollim dhe shëndetësi cilësore.

4. Zvicra
Zvicra renditet lart në lista të ndryshme, përfshirë këtu edhe transparencën e qeverisë, liritë civile, cilësinë e jetës, konkurrencën ekonomike dhe zhvillimin njerëzor. Sektori i prodhimit në Zvicër është sektori më i rëndësishëm, që merret me prodhimin e mallrave farmaceutike dhe produkteve tjera shëndetësore, përfshirë instrumentet shumë precize. Të ardhurat e disponueshme vjetore në Zvicër janë 30,388 euro.

3. Norvegji
Norvegjia është njëri nga vendet më të pasura në botë, meqë ka pasuri të mëdha të naftës e ujit si dhe njihet për peshkim e minerale. Në Norvegji funksionon sistemi universal i shëndetësisë dhe shkollimit, mirëpo, natyrisht, të gjitha këto të mira nuk vijnë pa një çmim. Banorët e këtij shteti skandinavë paguajnë 37 për qind të të ardhurave në taksa, megjithatë prapë u mbesin mesatarisht nga 30,389 euro në vit.

2. Luksemburgu
Luksemburgu, pak a shumë, është qendër financiare e Evropës. Vendi, që dikur ka qenë eksportuesi më i madh i çelikut në Evropë, tani njihet për eksportin e kimikateve, gomës dhe makinerisë industriale dhe natyrisht, shërbimeve financiare. Të ardhurat mesatare, pas pagesës së taksave, në Luksemburg janë 35,342.50 euro në vit.

1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë vendin më të fuqishëm në botë. SHBA-ja ka burime të mëdha natyrore dhe ndonëse është eksportuesi i dytë më i madh në botë, është importuesi më i madh. Amerikanët marrin nga 37,524 euro në vit, pasi t’i paguajnë 31.6 për qind në formë taksash./noa /

Komentoni