Pse ka kaq shumë vlerë dhe pse është kthyer në modë? Arsye pafund, qëllime të ndryshme por po u teprua kthehet në obsesion për të tërhequr vëmendjen, hedh më shumë foto sepse ti do më shumë “Like” ndërkohë që ndodh efekti i kundërt: Miqtë virtual lodhen.

Të gjithë bëjnë selfie, por adoleshentët dhe të rinjtë duket se janë përfshirë më shumë në këtë trend, ndoshta sepse 18 -34 vjeçarët përdorin më shumë mjetet dixhitale krahasuar me më të rriturit. Ndërsa media sociale ka kaq shumë ndikim, më të rinjtë janë të interesuar të qëndrojnë të lidhur me shokët dhe miqtë, partnerët, të afërmit, kolegët.

Askush nuk e përcakton dot se çfarë faktorësh psikologjikë ndikojnë në momentin kur bëjnë selfie dhe e hedhin atë në rrjetet sociale por disa janë më të zakonshmet si teori:

Të tërheqin vëmendjen e sa më shumë njerëzve të mundin:
Njerëzit pëlqejnë të vihen re në rrjetet sociale dhe të marrin sa më shumë “Like” dhe sa më shpejt që të jetë e mundur për më tepër të marrin edhe sa më shumë komplimente në mënyrë që të të kënaqin egon. Dëgjohet shpesh “sa e hodhëm foton, morëm 10 Like” apo “për kaq minuta morëm aq Like”. Ndoshta ju ka rastisur të dëgjoni dikë që e kishte preokupimin e ditës se nuk kishte marrë aq “Like” sa e kishte menduar prandaj e kishte hequr, e zhgënjyer, foton se pse “Like”-t tregonin se nuk ishte foto e mirë.

 Të rrisin vetëvlerësimin:
Kjo është një arsye tjetër përse njerëzit dhe veçanërisht të rinjtë bëjnë selfie, sepse ata vetë janë gjatë gjithë kohës në kontakt me shokët dixhitalë. Sot të gjithë janë me telefonin me vete kudo që shkojnë dhe është bërë si zgjatim i tyre. Nëse e ke gjatë gjithë kohës normalisht që do ta kontrollosh, sepse ndryshe humbet kontaktin me të tjerët dhe nuk je i informuar me çfarë ndodh me rrethin tënd të ngushtë. Ti do të jesh aty për ata dhe ata për ty.

Për t’u dukur:
Duan që të tregojnë të gjitha arritjet e tyre. Kur ne dukemi bukur apo ndihemi mirë me veten është më e lehtë të kapësh telefonin dhe ta dokumentosh menjëherë duke bërë një selfie. Sapo ke ndryshuar modelin e flokëve, sapo ke bërë një ndryshim në stilin e veshjes tënde të re, mundësisht të shtrenjtë, dhe këtë duhet ta dinë të gjithë. Duhet ta dinë sesa vlen ti.

Për të tërhequr vëmendjen e një njeriu të veçantë:
Nëse admirojnë dikë atëherë është shumë më e lehtë të tërheqsh vëmendjen, pa harruar të shtoj këtu kur duam që të bëjmë dikë xheloz. Kjo teknikë funksionon pavarësisht qëllimit për të cilën është bërë. Nëse do të tregosh gjithçka dhe në kohë rekord personit tjetër, bën një selfie dhe ja ku u lidhe. Nuk ke nevojë që ta telefonosh apo t’i shkruash, sepse një foto përmban shumë më shumë informacion.

Kur jemi të mërzitur:
Ndodh që kur njerëzit janë mërzitur në punë ose në orë mësimi, bërja e një selfie është gjëja më e mirë. Sa herë mërziten më të tjerët rikthehen nga vetja dhe merren me foton e bërë dhe pastaj zinxhiri vazhdon: hidhet në rrjetet sociale, sa “Like”, kush bëri koment… këtë fillon e diskuton me të tjerët e kështu me radhë.

Sepse media sociale është kënaqësi:
Shumë njerëz nuk kanë arsye që të bëjnë një selfie. Ata thjesht e bëjnë, sepse duan ta bëjnë dhe se duan të dokumentojnë moment të jetës së tyre. Ka njerëz që janë mirë me veten dhe bëjnë foto se kështu ju pëlqen dhe ndoshta e kthejnë edhe në një ditar të jetës së tyre.

Komentoni